Vriten pesë muzikantë nga një kartel droge në Meksikë, nëntë persona të arrestuar
Pesë muzikantë të grupit meksikan “Grupo Fugitivo” janë gjetur të vrarë, pasi rezultonin të zhdukur prej datës 25 maj në qytetin Reynosa, pranë kufirit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Viktimat dyshohet se janë rrëmbyer dhe më pas vrarë nga anëtarë të një karteli të fuqishëm droge në Meksikë.
Sipas raportimeve të BBC, autoritetet meksikane kanë arrestuar deri tani nëntë persona, të cilët dyshohet se janë pjesë e Kartelit famëkeq të Gjirit. Të gjithë të ndaluarit janë marrë në pyetje dhe akuzohen për veprën penale të “vrasjes”.
Muzikantët ishin nisur për të performuar në një event privat në datën 25 maj, por më pas humbën çdo kontakt me familjarët dhe organizatorët e aktivitetit. Trupat e tyre u gjetën disa ditë më vonë, ndërsa hetuesit po punojnë për të përcaktuar motivin e saktë të vrasjeve.