Vrau vajzën palestineze në Tiranës në 27 shkurt, arrestohet në Liban babai, Fadi Alwan
Dy muaj ka zgjatur arratia e Fadi Alwan.
49-vjeçari dyshohet se ka ekzekutuar me mjet prerës vajzën e tij në Tiranë. Arrestimi është bërë në Liban, me autoritetet shqiptare që po punojnë për ta sjell në Shqipëri për të vuajtur dënimin.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.
NJOFTIMI I POLICISE:
Akuzohet se vrau me mjet prerës, vajzën e tij, rreth 2 muaj më parë, në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka”, arrestohet në Liban, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, 49-vjeçari palestinez.
Në vijim të hetimeve të thelluara të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, dhe si rezultat i komunikimit të vazhdueshëm me strukturat homologe në Liban, nëpërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Beirutit, u kap në Liban, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi palestinez, F. A., 49 vjeç.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se shtetasi F. A., në shkurt 2025, në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka”, Tiranë, ka vrarë me mjet prerës, vajzën e tij, shtetasen R. A..
Vijon bashkëpunimi ndërmjet strukturave të Interpolit, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.
SI NDODHI NGJARJA?
Burime prane grupit hetimor bëjnë me dije se pas vrasjes së 24-vjecare, autori i dyshuar është larguar nga Shqipëria në 22 shkurt. Kjo për hetuesit tregon se e reja kishte të paktën 5-6 ditë që kishte humbur jetën nga goditjet me thikë.
Autori është kujdesur ta pastrojë mirë dhomën duke zhdukur çdo gjurmë si dhe duke marrë sendet personale e tij dhe të viktimës.
Pronarja e banesës në rrugën Gjon Muzaka në Tiranë, ku u gjet e vrarë 24-vjeçarja Rayyan Alwan, është shprehur para policisë se ajo është kontaktuar nga autori i dyshuar me një numër gjerman. Në momentin që çifti ka mbërritur në banesë i kanë thënë pronares që pasaportat do t’ia jepnin më vonë për shkak se ende nuk i kishin marrë valixhet nga Rinasi.
Policia përmes oficerit të kontaktit në Berlin ka mësuar se numri gjerman është në emër të një shtetasi tjetër. Ky i fundit ka thënë që këtë numër e përdorte Fadi Alwan.
Ndërkohë është mësuar se autori i dyshuar ka fluturuar nga Rinasi drejt Athinës e më pas po me avion ka shkuar në Amsterdam. Hetuesit dyshojnë se 49-vjeçari mund të jetë larguar me transport publik drejt Gjermanisë. Ka dyshime gjithashtu se autori e kishte planifikuar krimin.
Motivet e ngjarjes së rëndë nuk dihen ende, ndërsa pista e parë mbetet ajo e një krimi pasioni, por gjithcka mbetet e hapur.