Vrau tregtarin Besnik Hida bashkë me Laert Haxhiun dhe Orges Bilbilin, arrestohet 51-vjeçari në Greqi
Është arrestuar në Pire të Athinës i shumëkërkuari me rrezikshmëri të lartë Ardian Ahmetaj, 51 vjeç, i akuzuar për vrasjen e Besmir Hidës në 2019, në një atentat të organizuar.
Ahmetaj dyshohet se në vitin 2019, në Lushnjë, në bashkëpunim me Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili, kanë vrarë me armë zjarri shtetasin Besmir Hida, ky i fundit u qëllua për vdekje teksa po pinte kafe në lokal.
Shkak dyshohet hakmarrja dhe lidhja familjare e Hidës me një nga viktimat e Masakrës së Lushnjës më 2017, për të cilën u akuzua po grupi i Haxhiut.
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe autoritetet greke, finalizoi në Pire të Greqisë operacionin ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, duke çuar në lokalizimin dhe kapjen e shtetasit Ardian Ahmetaj, 51 vjeç.
Ahmetaj ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare pasi Gjykata e Fierit, në vitin 2023, kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” për akuzat “Vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”.