Vrau rumunin për pazaret e drogës, arrestohet pas katër vitesh shqiptari i dënuar me 22 vite burg
Një 36-vjeçar shqiptar është arrestuar nga karabinierët e Fermos në Itali, pasi ishte dënuar për vrasjen e një shtetasi rumun në vitin 2020, një krim i lidhur me prishjen e pazareve të drogës.
Ngjarja ndodhi më 17 shkurt 2020, kur trupi i pajetë i viktimës, një 36-vjeçar rumun me precedentë penalë, u gjet me plagë të shumta me thikë në shpinë. Hetimet e karabinierëve zbuluan se vrasja kishte ndodhur për shkak të një konflikti mbi kontrollin e trafikut të drogës mes Fermos dhe Porto Sant’Elpidio.
Autori i dyshuar, i cili më parë kishte vuajtur një dënim prej dy vitesh për trafik droge, u arratis pas krimit dhe u zhduk nga qyteti. Pasi u lokalizua në Shqipëri, arrestimi i tij u bë i mundur falë bashkëpunimit ndërkombëtar me autoritetet shqiptare dhe Shërbimin për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor. Ai u rikthye në Itali për arsye shëndetësore dhe familjare, çka çoi në ndalimin e tij nga policia në provincën e Fermos.
Pas arrestimit, shqiptari u dërgua në burgun e Fermos, ku do të vuajë një dënim prej 22 vitesh burg për vrasjen e rumunit.