“Vrau policë dhe ‘mbyti’ Britaninë me drogë”/ Media britanike, The Sun, krahason Dritan Rexhepi me El Chapon

Dritan Rexhepi, i njohur si “Mbreti i Kokainës”, është ekstraduar nga Turqia në Shqipëri më 9 janar, pas një arratie 27-vjeçare. Media britanike The Sun i ka kushtuar një artikull të gjatë kriminelit shqiptar, duke e krahasuar atë me Joaquin Guzman Loera, i njohur si El Chapo, bosin meksikan të drogës.

Në artikull, The Sun shkruan se Rexhepi, i cili ishte kërkuar në katër shtete, u bë i famshëm për arratisjet e tij nga burgu dhe për aktivitetin kriminal që përfshinte trafikun e drogës të klasit A dhe vrasjen e dy oficerëve të policisë.

Mediat britanike theksojnë se ai ka urdhëruar vrasjen e vëllait të një personi të dyshuar për vjedhjen e një ngarkese prej 20 milionë paund kokainë që i përkiste atij.

Rexhepi ishte në arrati dhe ishte një nga personat më të kërkuar nga Scotland Yard që nga viti 2013. Më tej, The Sun e konsideron atë si një figurë të rrezikshme, duke theksuar se ai ka arritur gjithmonë të qëndrojë një hap përpara ligjit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Shqiptare, Ilir Proda, komentoi për The Sun, duke vlerësuar ekstradimin si një arritje të madhe dhe një mesazh të qartë se asnjë i kërkuar nuk mund të ndjehet i sigurt jashtë Shqipërisë. Ai falënderoi autoritetet turke për bashkëpunimin në ekstradimin e Rexhepit, i cili kërkohej gjithashtu nga autoritetet italiane.