Vrau motrën dhe kunatin e tij, ekstradohet nga Itali Gjovalin Lesi, i dënuar me burgim të përjetshëm

Policia e Shtetit njofton për ekstradimin nga Italia të Gjovalin Lesit, 56 vjeç, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e motrës dhe kunatit të tij në vitin 1997.

Operacioni ndërkombëtar i koduar “Verdikti”, i finalizuar në prill 2024, u zhvillua falë bashkëpunimit mes Policisë Shqiptare, Interpol Tiranës dhe homologëve në Itali, përfshirë Policinë e Materas dhe Zyrën e Ekspertëve Italianë të Sigurisë në Shqipëri.

Sipas vendimit të Gjykatës së Mirditës, në vitin 1998, Gjovalin Lesi u shpall fajtor për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”. Në vitin 1997, në fshatin Rrasfik, Rubik, ai qëlloi me armë zjarri kallashnikov motrën dhe bashkëshortin e saj pas një konflikti për motive të dobëta.

Pas arrestimit të tij në Itali dhe procedurave përkatëse, Gjovalin Lesi u ekstradua për të vuajtur dënimin në Shqipëri. Ky është një tjetër rast i suksesit të bashkëpunimit ndërkombëtar për kapjen e personave të shpallur në kërkim.