Vrau me armë zjarri kreun e kompanisë së sigurimeve, prokurorja kërkon dënim me vdekje për 26-vjeçarin Luigi Mangione

Prokurorja e Përgjithshme e SHBA, Pam Bondi, ka urdhëruar prokurorët federalë të kërkojnë dënimin me vdekje për Luigi Mangione, 26-vjeçarin i cili vrau drejtorin ekzekutiv të kompanisë së sigurimeve UnitedHealthcare, Brian Thompson. Ngjarja ndodhi më 4 dhjetor jashtë një hoteli në Manhattan.

Mangione përballet me akuza federale dhe shtetërore, ku përfshihet vrasja me armë zjarri, një vepër penale që mund të sjellë dënimin me vdekje.

“Vrasja e Brian Thompson, një burri të pafajshëm dhe babai të dy fëmijëve të vegjël, ishte e paramenduar dhe gjakftohtë. Pas shqyrtimit të kujdesshëm, kam udhëzuar prokurorët që të kërkojnë dënimin me vdekje, duke zbatuar axhendën e Presidentit Trump për të ndaluar krimin e dhunshëm,” deklaroi Bondi.

Sipas hetuesve, Mangione kishte një fletore ku shprehte urrejtjen e tij ndaj industrisë së sigurimeve dhe drejtuesve të saj. UnitedHealthcare, kompania më e madhe e sigurimeve shëndetësore në SHBA, njoftoi se Mangione nuk kishte qenë asnjëherë klient i saj.

Dënimi maksimal për akuzat civile është burgim i përjetshëm, ndërsa Mangione është deklaruar i pafajshëm për akuzat shtetërore.