Vrau fqinjin se i ngacmonte gruan! Dinamika e plotë e ngjarjes së rëndë në Durrës

Detaje të reja nga ngjarja ku Branko Shkoza mbeti viktimë në zonën e Spitallës në Durrës. Burime bëjnë të ditura se autor është Majlind Habibi, i cili dyshohet se ka shtyrë me qëllim 33-vjeçarin drejt kanalit.

Në sherr e sipër e ka shtyrë dhe hedhur në kanal ku më pas u gjet pajetë. Ka qenë babai i Branko Shkozës ( viktimë), i cili ka bërë denoncim në Komisariatin e Policisë së Durrësit, se kishte humbur kontaktet me të birin që mbrëmjen e datës 2 dhjetor 2024.

Menjëherë policia ka nisur kërkimet, duke gjetur fillimisht trupin e pajetë të Shkozës në një kanal. Dëshmitë e marra, ka bërë që blutë të mos e konsiderojnë si aksidentale rënien e këtij të fundit.

Sipas dëshmitarëve, personi i fundit me të cilin është parë të shoqërohej Branko Shkoza, ishte fqinji i tij, Majlind Habibi. Hetuesit kanë pyetur Habibin, por ky i fundit ka mohuar që të jetë takuar mbrëmjen e 2 dhjetorit me viktimën.

Këtu dyshimet e policisë janë thelluar. Nga pamjet e kamerave të sigurisë, është vërtetuar e gjithë skena, ku implementohej në këtë ngjarje si autor, Majlind Habibi.

Pas arrestimit dhe marrjes në pyetje, ky i fundit ka pranuar autorësinë e kësaj ngjarjeje të rëndë, ku është shprehur se shkak ka qenë fakti se viktima i ngacmonte vazhdimisht gruan.