Vrau Amarildo Hoxhallarin se i ngacmoi të fejuarën/ Darment Keli: “Ka qenë sherr i momentit dhe jo i paramenduar, nuk kam pasur qëllim vrasjen e tij”

Darment Keli, i riu i cili vrau me thikë Amarildo Hoxhallarin  pasi pretendoi se ky i fundit i ngacmoi të dashurën është lënë sot në burg. Sipas tij, 25-vjeçari ka parë nga banesa e tij që në rrugë Hoxhallari po ngacmonte bashkëjetuesen e tij dhe i ka kërkuar që të mos e ngacmonte se ishte bashkëjetuesja e tij, por sipas të riut Hoxhallari ka vijuar sërish dhe madje e ka ofenduar. Më pas i riu ka shkuar për t’u sqaruar dhe sipas tij Hoxhallari e ka qëlluar i pari me grusht dhe më pas ky i fundit është kundërpërgjigjur duke e qëlluar me thikë.

Grupi hetimor i ngritur posaçërisht për hetimin e ngjarjes së rëndë të ndodhur në “Astir” mbrëmjen e së shtunës, mësohet se nuk po heton vetëm pistën e vrasjes për motive të dobëta.

DESHMIA NE POLICI

Autori, Darment Keli ka rrëfyer dhe këmbëngulur se ka qenë ngacmimi që Hoxhallari i ka bërë të fejuarës së tij që denigroi situatën dhe ka çuar deri në ngjarjen e rëndë. “Përcolla të fejuarën për te parkimi dhe u ngjita për në shtëpi. Kur dola në ballkon, pashë që një motor po e ndiqte dhe personi po fliste duke e ndjekur paralel makinën. I fola nga ballkoni dhe më pas zbrita. Aty Amarildo Hoxhallari më ofendoi dhe më goditi fizikisht. Pas përplasjes me të, në një moment e godita me thikën që e kisha marrë nga shtëpia, në gjaknxehtësi dhe sipër. Ka qenë sherr i momentit dhe jo i paramenduar, nuk kam pasur qëllim vrasjen e tij”, – ka dëshmuar ai ndër të tjera, duke u mbrojtur. Policia e arrestoi Kelin pak minuta pas krimit dhe sekuestroi sende të ndryshme si prova materiale, kurse çështja po ndiqet nga Prokuroria, aktualisht me akuzat “vrasja me dashje” dhe “prodhimi, mbajtja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Në njoftimin zyrtar të ditës së djeshme, Policia e Tiranës sqaron mes të tjerash, se pas plagosjes viktima tentoi të largohej nga vendngjarja me motorin e drejtuar nga Ardi Marishta, i cili më vonë rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur.Ai është ndaluar për “drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, kurse hetimet për krimin e rëndë mbeten ende aktive.