Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Isuf Hasën, autorin e vrasjes së 81-vjeçarit Xhemal Meta në Shëngjin të Vogël.
Para hetuesve ai ka zbuluar edhe arsyet që e shtynë të merrte aktin ekstrem. Sipas tij, Meta e bullizonte dhe i ngacmonte bashkëshorten.
“Në mëngjes shkova në shtëpinë e Xhemalit dhe pimë kafe. Pasi mbaruam aty vendosëm të shkonim në lokalin e fshatit. Në oborrin e shtëpisë së tij pashë ku ishte çekiçi. E mora dhe e qëllova nga mbrapa. Kishte shumë kohë që më bullizonte dhe më ofendonte. Kisha kuptuar që më ngacmonte gruan. Unë punoj roje nate në Dajt dhe kishte raste nuk shkoja tre netë në shtëpi. Xhemali më merte në telefon dhe më thoshte: “Si nuk na dhe një herë nga rakia e gruas”. Kisha kohë që nuk po e duroja dot. Pasi e vrava i mora lekët. E dija që kishte lekë sepse mi kishte treguar ai vetë. Më pas kam shkuar tek stacioni elektrik dhe deri në Tiranë kam zbritur me një makinë të tyre. Më pas shkova tek shtëpia e vajzës në Vorë”.
Viktima dhe autori e kishin lënë që të dielën që të pinin kafe bashkë, në një kafe që e kishin 30 minuta larg nga fshati në këmbë.
Ata e kishin lënë që në orën 9.00 do të niseshin bashkë, por në momentin që janë takuar, autori e ka goditur të moshuarin me mjete te forta në oborrin e banesës së tij, duke e lënë të vdekur.
Më pas është larguar duke i marrë portofolin dhe ka shkuar në barin ku e kishte lënë të shkonte me viktimën.