Vrau 67-vjeçarin për motive pronësie në Kurbin, arrestohet autori; në pranga me armën e krimit
Policia ka vënë në pranga autorin e dyshuar të vrasjes së Dod Memlit, i cili u ekzekutua mbrëmjen e djeshme, më 24 shkurt, në fshatin Vilëz të Kurbinit.
I arrestuari është një 53-vjeçar me inicialet D.T., banues në fshatin Zhejë, Kurbin. Ai u kap pas një operacioni të zhvilluar nga shërbimet operacionale të DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë.
Autori u lokalizua dhe arrestua mesditën e sotme në fshatin Vilëz, ku gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti armën e zjarrit me të cilën dyshohet se kreu vrasjen. Dyshohet se konflikti mes tij dhe viktimës kishte si motiv çështje pronësie.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë për të dokumentuar rrethanat e ngjarjes dhe zbardhjen e plotë të motivit të krimit. Materialet procedurale janë referuar për veprime të mëtejshme.
E shkuara kriminale e familjes së viktimës
Ngjarja e rëndë ka risjellë në vëmendje të kaluarën e errët të familjes së viktimës, pasi dy djemtë e Dod Memlit janë të lidhur me një masakër të ndodhur në vitin 2015 në qendër të Mamurrasit.
I biri i viktimës, Enrik Mamli, është dënuar për vrasjen e Naim Tafës dhe plagosjen e tre personave të tjerë. Konflikti mes tyre kishte nisur në Itali për një borxh prej 250 mijë eurosh të lidhur me çështje prostitucioni.
Masakra e Mamurrasit – Detaje të ngjarjes së vitit 2015
Ngjarja ndodhi më 23 shtator 2015, kur Enrik Mamli, së bashku me vëllezërit e tij Tom Mamli dhe Paulin Mamli, sulmuan fizikisht një të afërm, Dorjan Mamli, në një lokal në Mamurras. Pas konfliktit, u përfshinë në një përplasje të armatosur me familjen Tafa, ku humbi jetën Naim Tafa, ndërsa tre të tjerë mbetën të plagosur.
Policia asokohe arrestoi Enrik Mamlin, Taulant Bebrin (Arjan Tafa) dhe Dorjan Mamlin, ndërsa disa të tjerë u shpallën në kërkim. Në vendin e ngjarjes u sekuestruan 12 gëzhoja dhe një armë automatike model 56.
Dënimet e kërkuara për masakrën
Prokuroria e Kurbinit kërkoi dënime të rënda për personat e përfshirë në masakrën e Mamurrasit:
• Tom Mamli – 33 vite burg
• Elton Mamli (Enrik Mamli) – 26 vite burg
• Gazmir Tafa – 24 vite burg
• Taulant Tafa – 24 vite burg
• Dorjan Mamli – 2 vite burg për moskallëzim krimi
Ngjarja e djeshme dhe e kaluara kriminale e familjes Memli rikthejnë në vëmendje tensionet e gjata mes familjeve në këtë zonë, duke ngjallur shqetësim në komunitetin lokal. Autoritetet po hetojnë nëse ekziston ndonjë lidhje mes vrasjes së fundit dhe ngjarjeve të së kaluarës.