“Vrasjet e 21 janarit, një akt barbar”/ Braçe kërkon drejtësi për viktimat e protestës

Deputeti Erion Braçe ka reaguar në përkujtim të 14-vjetorit të tragjedisë së 21 Janarit, ku katër protestues u vranë gjatë një tubimi përballë Kryeministrisë. Në një postim në Facebook, Braçe ka theksuar se thirrjet për drejtësi nuk janë thirrje për hakmarrje, por për përgjegjshmëri ndaj jetëve të humbura.

“Sot është 21 Janar, përsëri – 14 vite rresht! Ky që dëgjoni nuk është urdhri, është transmetimi i urdhrit të pushkatuesit: ‘Me të kaluar gardhin e telave, do të hapni zjarr luftarak!’ Ky është urdhri! Dhe, kjo histori ka 14 vite që nuk hetohet, nuk gjykohet. Nuk bëhet drejtësi!” – shkruan Braçe.

Ai i bëri thirrje prokurorëve dhe gjykatësve të trajtojnë këtë ngjarje si një çështje themelore për sistemin e drejtësisë në vend. Braçe theksoi se jetët e Ziver Veizit, Hekuran Dedës, Faik Myrtajt dhe Aleks Nikës nuk mund të këmbehen me asgjë tjetër përveç drejtësisë.

“Vrasjet e 21 Janarit janë krim, një akt barbar për të mbrojtur korrupsionin dhe vjedhjen. Nuk ka asnjë hak për t’u marrë, sidomos mes politikanëve; duhet vetëm drejtësi!” përfundoi ai.

Ngjarja e 21 Janarit mbetet një nga episodet më të dhimbshme dhe të debatueshme në historinë politike të Shqipërisë, duke vazhduar të ngrejë pikëpyetje mbi përgjegjësinë dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë.