“Vrasje, spiunazh, sabotime”/ Qeveria britanike paralajmëron: Duhet të përgatitemi për një skenar lufte

Në një raport sekret që përmbledh rishikimin kombëtar të sigurisë, qeveria britanike paralajmëron se për herë të parë pas shumë vitesh rritet rreziku i një sulmi të drejtpërdrejtë në territorin e Mbretërisë së Bashkuar. Dokumenti thekson nevojën për një përgatitje aktive ndaj një skenari lufte, duke identifikuar kërcënime serioze ndaj sigurisë kombëtare.

Raporti shpreh shqetësim të veçantë për mundësinë që kundërshtarët të ndërmarrin veprime për të shkaktuar ndërprerje të mëdha në furnizimin me energji dhe komunikim. Në këtë kontekst, kabllot dhe tubacionet nënujore, të cilave Mbretëria e Bashkuar i beson 99% të komunikimeve digjitale dhe rreth 75% të furnizimit me gaz, janë identifikuar si objektiva kyçe të sulmeve të mundshme.

Përveç kërcënimeve fizike, raporti paralajmëron rritjen e rrezikut nga armët kimike dhe biologjike, si dhe nga veprime armiqësore si vrasje, frikësim, spiunazh, sabotime dhe sulme kibernetike, të cilat mund të minojnë edhe proceset demokratike.

Si përgjigje, qeveria britanike planifikon të forcojë mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe të organizojë ushtrime kombëtare vjetore për testimin e gatishmërisë së shoqërisë. Një rrjet i ri qendrash të bio-sigurisë do të krijohet me një investim mbi 1 miliard paund për të mbrojtur vendin nga incidente dhe sulme biologjike.

Raporti përfshin gjithashtu një auditim të veçantë mbi Kinën, i cili tregon për një modernizim të shpejtë ekonomik, ushtarak dhe teknologjik të vendit, si dhe rritjen e kërcënimeve për sigurinë britanike, duke përfshirë spiunazhin dhe ndërhyrjet në demokraci.

Sekretari i jashtëm David Lammy tha në parlament se megjithëse disa detaje të auditimit nuk do të publikohen për arsye sigurie, është e qartë se Pekini mbështet fuqishëm Kremlinin dhe se Mbretëria e Bashkuar po investon masivisht në inteligjencën e saj dhe po përditëson legjislacionin për të përballuar kërcënimet shtetërore.