Vrasje në Prishtinë – Autorët të maskuar hapin zjarr ndaj dy personave, një i vdekur dhe një i plagosur

Një tjetër ngjarje e rëndë me armë zjarri ka ndodhur në Kosovë. Mbrëmjen e së martës, në Prishtinë, dy persona të maskuar qëlluan ndaj dy qytetarëve, duke lënë një të vdekur dhe një të plagosur.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, viktima, një burrë rreth të 60-ave, ndërroi jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa personi i plagosur ndodhet në gjendje stabile.

Mjeku kujdestar Agron Çitaku tha se viktima e parë mbërriti në spital rreth orës 22:35, thuajse pa shenja jete. Pavarësisht përpjekjeve për reanimim, ai nuk mundi t’u mbijetonte plagëve. Ndërkohë, i plagosuri tjetër, i cili kishte tri plagë nga arma e zjarrit, është jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka shpallur në kërkim dy persona të dyshuar që vazhdojnë të jenë në arrati.

Kjo është vrasja e katërt brenda tre ditësh në Kosovë, duke ngritur shqetësime për rritjen e kriminalitetit dhe përdorimin e armëve të zjarrit në vend. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorëve.