“Vrasje makabre me shtizë peshkimi”/ Algjeriani dënohet me 18 vite burg për ekzekutimin e 23-vjeçarit shqiptar në Itali
Gjykata e Assize e Ankonës ka dënuar me 18 vjet burg 28-vjeçarin algjerian Fatah Melloul për vrasjen e Klajdi Bitrit, një 23-vjeçar shqiptar, më 27 gusht 2023 në Sirolo, Itali. Melloul, i akuzuar për vrasje të rëndë me dashje, do të duhet gjithashtu t’u paguajë 40 mijë euro prindërve të viktimës si dëmshpërblim.
Krimi ndodhi pas një debati për bllokimin e trafikut pranë një rrethrrotullimi. Klajdi Bitri ishte i shoqëruar nga vëllai, punëdhënësi dhe disa të afërm, ndërsa Melloul ishte në makinë me të dashurën e tij. Pas një përplasjeje verbale, Melloul u largua drejt makinës së tij, mori një shtizë peshkimi dhe e goditi Bitrin në gjoks.
Klajdi Bitri ndërroi jetë pak minuta më vonë, ndërsa Melloul u largua nga vendi i ngjarjes. Ai u arrestua disa orë më pas në Falconara, gjatë kthimit nga një seancë peshkimi. Në dëshminë e tij, Melloul pretendoi se nuk kishte kuptuar se e kishte vrarë 23-vjeçarin.
Krimi ndodhi në sy të vëllait të viktimës, i cili u shpreh:
“Unë dua drejtësi. E pashë vëllain tim të vdiste para meje, pa kuptuar pse. Ai ishte babai dhe mbështetja ime. Punoi gjithë jetën për të më sjellë në Itali dhe për të më dhënë një jetë më të mirë.”
Prokuroria kishte kërkuar një dënim prej 24 vitesh burg, por gjykata e dënoi Melloul me 18 vite. Përveç dënimit penal, ai është urdhëruar të paguajë 40 mijë euro si kompensim për familjen e Bitrit.