Vrasja për hakmarrje, i ndau motrën nga burri/ Detaje nga atentati e Ramazan Mataj: Autori fshehu armën e krimit në oborrin e shtëpisë

Arjon Hasa, 29-vjeçari i dyshuar për vrasjen e Ramazan Matajt, është arrestuar nga Policia e Shkodrës. Ngjarja tronditëse ndodhi në fshatin Dragoç, ku dyshohet se Hasa kreu krimin për shkak të ndikimit të Matajt në prishjen e martesës së motrës së tij.

Sipas hetimeve, Arjon Hasa kishte organizuar gjithçka me kujdes. Ai përdori llogari të rreme në rrjetet sociale për të kontaktuar Matajn dhe për ta nxjerrë në pritë. Kur Ramazan Mataj shkoi në vendin e caktuar, Hasa dyshohet se kreu vrasjen.

Policia bën të ditur se Hasa është ndihmuar nga vëllai i tij, Klisman Hasa, për të siguruar kushtet e nevojshme për krimin dhe për fshehjen e armës së zjarrit. Pas krimit, dy vëllezërit fillimisht e fshehën armën në një zonë të pyllëzuar dhe më pas e groposën në tokë, në oborrin e shtëpisë së tyre.

“Si rezultat i kontrolleve intensive, arma e përdorur në krim u gjet dhe u sekuestrua nga policia,” bëhet me dije nga autoritetet.

Për momentin, Arjon Hasa akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve”, ndërsa vëllai i tij, Klisman Hasa, akuzohet për “Sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjes”.

Hetimet e mëtejshme po vijojnë për të dokumentuar plotësisht ngjarjen, ndërsa arrestimi i dy vëllezërve është përshëndetur nga Policia e Shtetit, e cila i inkurajon qytetarët të bashkëpunojnë për parandalimin e ngjarjeve të ngjashme.