“Vrasja nga pakujdesia” në Lipjan – Pesë policë të ndaluar pas vdekjes së 27-vjeçarit, familjarët: E vrau dora e shtetit

qytetin e Lipjanit, ku një 27-vjeçar, Agon Zejnullahu, ka humbur jetën pas një ndërhyrjeje policore. Sipas njoftimit zyrtar, ai ishte arrestuar pasi dyshohej se po sulmonte kalimtarë me veturë, por pak minuta pas ndalimit ai ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.

Për këtë rast janë arrestuar pesë zyrtarë policorë dhe janë pezulluar nga detyra, ndërsa ndaj tyre po zhvillohen hetime për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.

Sipas deklaratës së policisë, pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor në vendngjarje, 27-vjeçari humbi jetën. Mjekja e emergjencës që mbërriti në vend tha për mediat se viktima ishte pa shenja jete në momentin që u gjet dhe se ishte ende i prangosur. “Kërkuam të hiqeshin prangat sepse nuk reagonte, por ndihma e parë nuk pati efekt,” tha ajo.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) nisi menjëherë hetimet dhe rekomandoi suspendimin e pesë zyrtarëve policorë të përfshirë në operacionin e ndalimit – një rreshter dhe katër policë patrullues. Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të pesë efektivët janë arrestuar dhe u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Ndërkohë, familjarët e të ndjerit kanë shprehur publikisht shqetësimin e tyre dhe kërkojnë zbardhjen e plotë të rastit. Vëllai i viktimës, Alban Zejnullahu, ka deklaruar se Agoni kishte shenja të dukshme dhune në fytyrë dhe trup, duke akuzuar policinë për përdorim të panevojshëm force.

Sipas tij, familja ka dëgjuar versione të ndryshme mbi shkaqet e vdekjes, përfshirë aludime për infarkt apo ndikim të alkoolit, por ai shprehet i bindur se vëllai i tij është “vrarë nga dora e shtetit”.