Vrasja në Shënavlash/ Edison Brahaj: Esmeraldi më dha 2 milionë lekë, e ndihmova të hidhte trupin në pus
Edison Brahaj ka dhënë dy dëshmi kontradiktore përpara hetuesëve të Policisë së Shtetit. I riu, i cili është arrestuar pasi dyshohet se ndihmoi Esmerald Ballën për të fshehur kufomën e babait të tij(Enver Ballës), në rrëfimin e tij të parë para uniformave blu u shpreh se nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen. Madje pretendoi se të gjithë atë që kishte ndodhur e kishte zbuluar nga raportimet e mediave.
“Unë e kam shok Esmeraldin dhe vetë nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen. Nuk dija asgje derisa e pashë në televizor se çfarë kishte ndodhur, dija vetëm që babi i tij ishte larguar nga shtëpia se kështu më kishte thënë vetë Esmeraldi dhe vetëm kaq. Që Enveri ishte vrarë, këtë e mësova vetëm nga lajmet që dolën në televizione. Unë e pranoj që kam njohje me Esmeraldin, por vetëm kaq, me ngjarjen nuk kam lidhje fare. As i kam dhënë ndihmë atij, as kam fshehur diçka në lidhje me vrasjen”, tha 25-vjeçari në dëshminë e tij.
Por vetëm pak orë më vonë është rimarrë në pyetje dhe ka ndryshuar të gjithë dëshminë e tij. Brahaj ka pranuar se ka qënë ai që e ka ndihmuar Esmerald Ballën për të hedhur në pus trupin e të atit, duke implikuar kështu edhe veten në krimin që tronditi vendin. Madje për ndihmën që i kishte dhënë mikut të tij, ishte “shpërblyer” me shumën prej 2 milionë lekësh të vjetra.