Altin Kuka dhe dy djemtë e tij Ervis dhe Emaurisio, kanë dalë sot para gjykatës, të akuzuar për vrasjen e dyfishtë në Kurjan të Roskovecit. Dy vëllezërit Kurtaj u vranë me armë zjarri pak ditë më parë pas një konflikti me një prej djemve të autorit. Të arrestuarit do të njihen nga trupi gjykues me masën e sigurisë.
Fillimisht për vrasjen e vellezërve Gramos dhe Lavdimir Kurtaj, u arrestua Altin Kuka, por hetimet zbuluan se ai nuk veproi i vetëm në krim.Zyrtarisht policia tha se bashkëpuntorë në vrasje, 49 vjeçari, ka pasur dy djemtë e tij Ervis dhe Emaurisio Kuka. Këtyre të fundit, gjatë tentativës për arratisje policia iu gjeti edhe një armë pistoletë.
Në pranga ka rënë edhe një 67 vjeç, Tomor Zyka, banues në fshatin Çukalat i cili dyshohet, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, i cili gjithashtu sot do të njihet me masën e sigurisë në gjykatë.
Burime nga grupi hetimit thanë se në vendngjarje janë gjetur vetëm gëzhoja të automatikut që Altin Kuka e dorëzoi kur shkoi vetë në komisariat pas krimit.
Arma e përdorur në krim do t`i nënshtrohet ekspertizës dhe do të zbardhë se kush i vrau vëllëzërit Kurtaj edhe pse vrasjen e ka marrë përsipër 49 vjecari Altin Kuka.
Vrasja dyshohet se e ka zanafillën te një sherr i çastit mes fëmijëve të autorit dhe atyre të viktimës, mbrëmjen e të hënës.