Vrasja në Kurbin/ Gjashtë plumba u zbrazën në drejtim të Dodë Mamli, 10 persona të shoqëruar
Detaje të reja për vrasjen me armë zjarri në fshatin Vilëz, Zhejë të Kurbinit.
Policia ka gjetur 6 gëzhoja në vendngjarje, me 3 prej tyre që goditen shenjëstrën, Dodë Mamli të cilat rezultuan fatale. Dyshohet që vrasja e 67-vjeçarit lidhet me një konflikt pronësie, por nuk përjashtohet hakmarrja. 10 persona janë shoqëruar në komisariat, të cilat do pyeten për të sqaruar mbi dinamikën e ngjarjes, por dhe ndonjë lidhje të mundshme me vrasjen e Mamlit.
Doda është qëlluar teksa po punonte në pyll. 67-vjeçari është gjetur i pajetë nga një banor i zonës, i cili ka njoftuar policinë. Viktima ka 2 plumba në gjoks dhe 1 në kokë. Dy djemtë e 67-vjeçarit të vrarë, Enrik Mamli alias Elton, dhe Tom Mamli, kanë vrarë në vitin 2015 kushëririn e tyre, Naim Tafën.
Ngjarja e vitit 2015
Elton Mamli dhe Tom Mamli, vëllezër me njëri-tjetrin kanë zhvilluar një konflikt të ashpër të armatosur me kushërinjtë Gazmir dhe Taulant Tafa, në qendër të Mamurrasit, pranë stacionit të Trenit.
Nga konflikti i armatosur ka mbetur i vdekur Naim Tafa, i cili ishte i përfshirë në përleshje. Ndërkohë që u plagosën rastësisht shtetasit Idriz Tafa dhe Altin Çoku, të cilët gjendeshin, bashkë me shumë persona të tjerë, në zonën e stacionit të trenit.
Prokuroria e Kurbinit kërkoi 107 vjet burgim në total për 4 persona, të akuzuar për vrasje në rrethana cilësuese dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake.
- Tom Mamli të dënohet me 33 vjet burgim
- Elton Mamli të dënohet me 26 vjet burgim
- Gazmir Tafa të dënohet me 24 vjet burgim
- Taulant Tafa të dënohet me 24 vjet burgim
Gjithashtu, Prokuroria e Kurbinit kërkoi dënimin me 2 vjet burgim për shtetasin Dorian Mamli, i akuzuar për “Moskallëzim krimi”.