Vrasja e shqiptarit/ Po flinte gjumë kur u arrestua, si u zbulua vendndodhja e autorit. Pronarja që i dha banesën me qira…

Detaje të reja janë zbardhur nga arrestimi i Mikel Selimajt, 49-vjeçarit shqiptar të dyshuar për vrasjen e bashkatdhetarit të tij, Altin Arapaj, në një vresht në zonën e Rafinas në Greqi. Selimaj u arrestua nga policia greke në orët e para të mëngjesit të së enjtes (23 maj), teksa po flinte qetësisht në një apartament të marrë me qira ditore, duke mos treguar asnjë shenjë shqetësimi apo pendese për krimin që dyshohet se kishte kryer.

Sipas burimeve nga mediat greke, vendndodhja e autorit u zbulua fillimisht nga pronarja e apartamentit, e cila kishte vënë re mungesën e çdo komunikimi nga ana e qiramarrësit që prej mëngjesit. E shqetësuar se mund të kishte ndodhur diçka e keqe, ajo njoftoi autoritetet. Kur policia mbërriti në vend, e gjeti Selimajn duke fjetur dhe menjëherë e arrestoi.

Nga hetimet e deritanishme ka dalë në pah një fakt tronditës: viktima, Altin Arapaj, i cili u qëllua me armë në fytyrë, kishte mundur të telefononte gruan e tij pak para se të ndërronte jetë. Në atë bisedë të fundit, ai i kishte treguar emrin e personit që e kishte qëlluar – Mikel Selimaj – dhe e kishte lutur të përpiqej ta gjente.

Bashkëshortja e viktimës ka luajtur një rol kyç në zbardhjen e ngjarjes dhe në ndihmën për gjetjen e autorit. Ajo kishte përdorur një aplikacion për ndjekjen e telefonit të burrit të saj dhe kishte njoftuar policinë greke, duke çuar në zbulimin e trupit të pajetë të Arapajt dhe më vonë në identifikimin e autorit.

Burime të tjera raportojnë se si viktima, ashtu edhe autori, kishin qenë në hetim nga autoritetet greke për raste që lidhen me trafikun e drogës. Dyshohet se vrasja mund të ketë lidhje me konflikte të mundshme të lindura për këtë arsye.