Vrasja e shqiptarit në Greqi, avokati i autorit: Arma ishte e viktimës, po të donte ta ekzekutonte, do ta…

Zbardhen detaje të reja lidhur me vrasjen e 41-vjeçarit shqiptar Altin Arapaj në zonën e Rafinës, Greqi, ku si autor kryesor i dyshuar është identifikuar Mikel Selimaj, 46 vjeç, gjithashtu shqiptar nga Vlora.

Së bashku me të, policia greke ka arrestuar edhe dy persona të tjerë, të cilët dyshohet se ishin prezentë në momentin e ngjarjes dhe akuzohen për bashkëpunim.

Ngjarja ndodhi në një vresht në zonën e Rafinës, ku katër personat kishin shkuar për të kaluar kohë së bashku. Sipas mbrojtjes së 46-vjeçarit Selimaj, viktima dhe i pandehuri njiheshin prej vitesh dhe ishin miq të afërt.

Nikos Roussopoulos, avokati i Mikel Selimajt, ka folur për mediat greke, duke dhënë versionin e mbrojtjes për atë që ndodhi në vresht.

“Sipas klientit tim, ata kishin konsumuar një sasi të madhe kokaine. Për këtë arsye kemi kërkuar që të bëhen analiza gjaku dhe urine për të vërtetuar përdorimin e lëndës narkotike,” u shpreh Roussopoulos.

Ai këmbënguli se arma me të cilën u vra Altin Arapaj nuk ishte e Selimajt, por i përkiste vetë viktimës.

“Ata u grindën, por klienti im nuk e mban mend çfarë ndodhi më pas. Ai pretendon se po përpiqej ta çarmatoste viktimën, kur arma shkrepi dhe plumbi e kapi atë në faqe. Nëse dikush dëshiron të vrasë, nuk qëllon në faqe, por në kokë ose në gjoks,” tha avokati.

Në disa raportime u përmend mundësia që shkak i krimit të ishte një konflikt për një pronë në zonë. Por sipas avokatit Roussopoulos, kjo nuk qëndron.

“Nuk ka pasur asnjë mosmarrëveshje për ndonjë shtëpi mes tyre. Viktima kishte një konflikt pronësie me një shtetas kanadez, por kjo nuk ka të bëjë fare me klientin tim,” shtoi ai.