Vrasja e shqiptares në Itali, djali i viktimës: Hëngra akullore me babin, më pas vrau mamin
Zbardhen detaje të reja nga vrasja e rëndë që tronditi Italinë dy ditë më parë, ku Gentiana Hudhra, 45-vjeçarja shqiptare, u masakrua me thikë në mes të rrugës nga ish-bashkëshorti i saj, Nikollaq Hudhra.
Një nga djemtë e saj, Mario, ka rrëfyer për mediat italiane se pak para krimit ishte takuar me të atin. “Shkova të haja akullore me babin, pastaj ai vrau mamin”, ka treguar i riu, i tronditur nga tragjedia që i mori nënën.
Krimi ndodhi në Passignano sul Trasimeno, Perugia, teksa Gentiana po shkonte në punë. 55-vjeçari Nikollaq Hudhra, punëtor në një kompani bujqësore, e qëlloi ish-gruan me një thikë me teh 18 centimetra, duke i shkaktuar plagë fatale. Pasi kreu krimin, ai u ul në një stol pranë vendit të ngjarjes dhe priti mbërritjen e karabinierëve, të cilëve iu dorëzua duke pranuar autorësinë. “E bëra për të shpëtuar fëmijët”, ka deklaruar ai para hetuesve.
Sipas mediave italiane, Hudhra kishte menduar të kryente krimin edhe 2-3 herë gjatë muajit të fundit. Gentiana dhe Nikollaqi ishin të ndarë që nga viti 2021 dhe kishin dy fëmijë, 21 dhe 23 vjeç, të cilët jetonin me nënën. Hetuesit bëjnë të ditur se së fundmi nuk kishte sinjale për ndonjë rrezik të menjëhershëm për sigurinë e 45-vjeçares.