Vrasja e Santiago Malkos, Muhamet Duka dëshmon në gjyqin ndaj të birit “Princit Damian”: Ju tregoj për Vis Martinajn…

Në Gjykatën e Posaçme dëshmoi Muhamet Duka, në procesin ndaj djalit të tij Leonard Duka, i cili akuzohet për organizimin dhe financimin e vrasjes së Santiago Malkos, krahut të djathtë të Ervis Martinajt. Ky i fundit është zhdukur pa gjurmë prej vitit 2022. Sipas hetimeve, rezulton se Duka vrau Malkon pasi ai i mori peng dhe e dhunoi babain e tij, Muhametin. Fillimisht, Duka kishte bërë plan të vriste Martinajn.

Dëshmia e Muhamet Dukës

Avokatja: A e njihni shtetasin Santiago Malko?

Muhamet Duka: Nuk e njoh dhe nuk kam pasur asnjë konflikt. Mesa di unë, as djemtë e mi nuk kanë pasur konflikt. Në dijeninë time, nuk e di nëse kanë pasur probleme me Ervis Martinajn, unë nuk e njoh.

Prokurori: Aleksandër Maxhakun e njihni?

Duka: Është nipi im, djali i motrës, e thërrasim Leksi, Aleks varet. Kam shumë vite pa e takuar, thuajse 6 vjet, nuk e di ku është.

Dritan Again e njoh, është nga vendi ynë, një stërmbesa jonë e ka burrë. E kemi deri diku tonin, nuk është i huaj. Dritanin e kam parë, djemtë e mi si çunat që rrinë.

Oltion Lokën e kam parë, e njoh nga lagjja. Ai ka pas banuar në Shëngjergj. Olti i thërrisnin shkurt, nuk e di me kë rrinte nga çunat.

Fatmir Hysenin (Doçja) e kam dëgjuar në televizor.

Ilir Selmani e kam dëgjuar në TV, por si person nuk e njoh.

Blendi Teta nuk e njoh, e kam dëgjuar në media.

Shoqërinë e djemve nuk më ka rënë rasti t’i njoh. Unë merresha me tregti me biznesin tim, kam pasur një lokal timin te Fresku, punoja unë dhe nusja. Tani jam në pension. Leonardi ka pasur punët e veta, me biznesin e tij, me këto lojërat e fatit. Nuk e di me kë bashkëpunonte, nuk i jam përzier në punët e tij, ata janë të rritur.

Unë jetoj me bashkëshorten, ata jetonin vetëm me njëri-tjetrin. Ata rrinin me qira, nuk kam pas shkuar te ata, unë rrija në Fresk, ata vinin te ne. Unë i kam pas ndihmuar kur kanë qenë të vegjël, kur u rritën filluan jetën e tyre. Kanë qenë të qetë, s’më ka trokitur njeri në derë.

Nuk di asnjë gjë për shoqërinë e tyre. Në asnjë mënyrë nuk më ka ndaluar njeri në rrugë. Kam vetëm dy djem, nuk di ndonjë rast që ata të jenë plagosur. Asnjëherë në jetë nuk ka ndodhur që të më ketë thënë dikush gjysmë llafi. As më ka goditur njeri, asnjëherë.

Prokurori: Jeni në dijeni të një pajtimi mes disa djemve me mbiemrin Mumajesi?

E kam dëgjuar si mbiemër, Revelino Mumajesi e kam parë si çun lagjeje.

Unë e di që djali paguante tatimet në shtet, ishte i rregullt. E kam takuar shumë rrallë. Ervis Martinajn e kam dëgjuar, as e njoh, as e kam parë ndonjëherë, në media e kam dëgjuar. Edhe emrin e Santiago Malkos e kam dëgjuar në media.

Pas dëshmisë së Muhamet Dukës, SPAK do të shpallë pretencën për Leonard Dukën. Ai rrezikon dënimin me burg të përjetshëm.