Vrasja e Renis Dobrës/ Gjykata e Dibrës jep “arrest me burg” për Petrit Çakrrin dhe Fatjon Bushgjokajn, dy vëllezërit ende në arrati

Gjykata e Dibrës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Petrit Çakrrin dhe Fatjon Bushgjokajn, të akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen makabre të 23-vjeçarit Renis Dobra, krim që ndodhi më 8 korrik në zonën e Madheshit, Ulëz. Seanca u zhvillua këtë të premte në orën 09:00, në prani të të akuzuarve.

Ndërkohë, dy vëllezërit e Fatjon Bushgjokajt, Kristi dhe Aleksandër Bushgjoka, të dyshuar si bashkëpunëtorë në këtë krim, janë ende në kërkim. Dyshohet se ata janë larguar jashtë Shqipërisë menjëherë pas ngjarjes.

Zbardhja e ngjarjes nisi më 16 korrik, kur autoritetet arrestuan dy të dyshuarit e parë. Kamerat e sigurisë përgjatë aksit Burrel–Tiranë dhe dëshmitë e mbledhura nga hetuesit hodhën dritë mbi lëvizjet dhe veprimet e tyre pak para krimit. Katër autorët u filmuan teksa pinin kafe bashkë në një pikë karburanti, përpara se të udhëtonin drejt fshatit Zenisht me dy automjete: një “Range Rover” të zi dhe një “Hyundai Santa Fe”.

Ndërsa provat faktojnë njohjen mes Petrit Çakrrit dhe vëllezërve Bushgjokaj, dëshmitë para hetuesve kanë qenë kontradiktore. Fatjon Bushgjokaj ka mohuar njohjen me Çakrrin, duke thënë se ishte në lëvizje për të vjedhur banesa. Por Çakrri ka pohuar se ka pasur lidhje me njërin prej vëllezërve, pasi kanë qenë së bashku në burg, ndërsa ka mohuar çdo përfshirje në vrasje.