Vrasja e Ramazan Matajt/ “Dërgonte foto e video ero*ike, ishin tmerr për t’u parë/ Motra e Armela Hasës tregon makthin: Tentoi të hynte në shtëpi dhe përndiqte vëllezërit

Ngjarja e rëndë që ndodhi më 4 janar në fshatin Dragoç të Shkodrës, ku 33-vjeçari Ramazan Mataj u vra nga vëllezërit e Armelës, Arjon dhe Klisman Hasaj, ka sjellë në vëmendje një histori të gjatë përndjekjeje dhe kërcënimesh. Në një intervistë për emisionin “Me zemër të hapur”, motra e Armelës ka treguar se si Mataj kishte përndjekur motrën e saj për një kohë të gjatë, e kishte kërcënuar dhe kishte shpërndarë në fshat foto e video intime të saj.

Motra e Armelës rrëfen se Mataj kishte arritur deri aty sa të tentonte të hynte në shtëpinë e motrës së saj me forcë.

“Kam qenë në shtëpi kur ai tentoi të hynte brenda. Isha në katin e dytë, ndërsa ai ishte poshtë, duke u përpjekur të hynte me çdo kusht. Ai nuk e linte të qetë, e përndiqte kudo,” – tregon ajo.

Përveç përndjekjes ndaj Armelës, Mataj përbënte një kërcënim edhe për vëllezërit e saj, duke i ndjekur dhe kërcënuar vazhdimisht. “U dilte para në rrugë, i provokonte dhe i kërcënonte. Gjithashtu, u dërgonte video dhe foto të motrës, duke tentuar ta poshtëronte publikisht,” – shton ajo.

Një nga mënyrat me të cilat Mataj përpiqej ta shkatërronte jetën e Armelës ishte shpërndarja e materialeve intime të saj në fshat.

“I dërgonte në fshat foto dhe video të saj. Na i dërgoi edhe neve, por unë i fshiva menjëherë. Ishin pamje të tmerrshme, të pabesueshme. Ai nuk e kishte dashur kurrë motrën time, përndryshe do të kishte kërkuar dorën e saj siç e kërkojnë burrat me nder. Por qëllimi i tij ishte ta poshtëronte,” – tregon motra e Armelës.

Ajo shpjegon se kishte komunikuar me Matajn për ta bindur që të mos e shqetësonte më motrën, por ai nuk ndaloi kurrë.

“I shkrova dhe i thashë: ‘Hiq dorë prej saj. Edhe ti ke motër dhe nënë, pse po e bën këtë?’ Por ai vazhdonte të më dërgonte mesazhe dhe video. Nuk pushonte. I fshiva të gjitha nga telefoni, por e vërteta mund të provohet lehtësisht,” – shprehet ajo.

Sipas saj, Armela kishte bërë plot 24 denoncime për përndjekjen dhe kërcënimet që i bënte Mataj, por institucionet nuk kishin marrë asnjë masë të efektshme për ta mbrojtur.

“Ajo kishte bërë shumë denoncime, por nuk e morën seriozisht. Ai vazhdonte ta përndiqte, e ndiqte edhe vëllain, i shfaqej në rrugë dhe e kërcënonte. E gjithë familja jetonte në stres të vazhdueshëm,” – thotë ajo.

Si e mësoi familja lajmin për vrasjen?

Motra e Armelës tregon se e mësoi lajmin për vrasjen e Matajt nga mediat dhe se menjëherë i shkoi në mendje konflikti që kishte pasur më parë me vëllezërit e saj.

“Nuk e mendova menjëherë se e kishin bërë vëllezërit, por kur e dëgjuam lajmin, menjëherë na erdhi në mendje konflikti i tij me ta. Ai nuk u linte rehat, i përndiqte dhe i sfidonte vazhdimisht,” – rrëfen ajo.