Vrasja e policit në Mal të Zi, Gjykata e Lartë konfirmon vendimin me nga 40 vite burg për nënën dhe 2 djemtë shqiptarë
Gjykata e Lartë e Malit të Zi ka refuzuar ankesat e Luan, Lulzim dhe Nura Hasanaj, nga Bajza e Malësisë së Madhe, të akuzuar për vrasjen e policit Milutin Lekoviq, ngjarje e ndodhur me 15 dhjetor 2019-të, dhe ka konfirmuar vendimin e Gjykatës së Apelit, me të cilin janë dënuar me nga 40 vite burg secili.
Me vendimin e Gjykatës së Lartë në Podgoricë, të akuzuarit për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkim me veprën penale të sulmit ndaj një personi zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, si dhe për veprën penale të mbajtjes së paligjshme të armëve dhe lëndëve eksplozive, janë dënuar me dënime të bashkuara të burgimit afatgjatë në kohëzgjatje prej 40 vjetësh secili, duke përfshirë edhe kohën e kaluar në paraburgim që nga data 15 dhjetor 2019. Gjykata e Apelit e Malit të Zi, në dhjetor të vitit 2024, duke pranuar pjesërisht ankesat e dy të pandehurve, i ka liruar ata nga akuza për sulm ndaj personit zyrtar, ndërsa ka konfirmuar vendimin për vrasjen e rëndë.
“Gjykata e Lartë, duke shqyrtuar pretendimet e palës ankuese, ka konstatuar se janë përcaktuar drejt dhe në mënyrë të plotë të gjitha faktet, dhe vendimi është marrë me zbatim të së drejtës materiale dhe nuk ka pasur shkelje të procedurës që do të ndikonin në ligjshmërinë dhe drejtësinë e vendimeve të marra.
Me këtë vendim të Gjykatës së Lartë, vendimi i shqyrtuar bëhet i formës së prerë”, njoftoi Shërbimi për Marrëdhënie me Publikun i Gjykatës së Lartë.
Shtetasit e Shqipërisë, Luan Hasanaj, vëllai i tij Lulzim dhe nëna e tyre Nura, janë akuzuar se si bashkautorë kanë vrarë efektivin e policisë së Malit të Zi Milutin Lekoviq më 15 dhjetor 2019 në Herceg Novi.