Vrasja e policit në derën e shtëpisë, reagon sindikata e Policisë së Kosovës: Atentat i drejtpërdrejtë ndaj sigurisë publike

 

Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar pas vrasjes së rreshterit Muhamed Lika, duke e cilësuar këtë akt si një atentat të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë publike dhe shtetit të Kosovës.

Në një deklaratë zyrtare, sindikata dënon ashpër sulmin dhe kërkon veprime të menjëhershme për zbardhjen e ngjarjes dhe vënien para drejtësisë të autorëve.

“Çdo sulm ndaj një zyrtari policor është sulm ndaj Republikës së Kosovës! Policia e Kosovës është shtylla kryesore e rendit dhe sigurisë në vend. Prekja e saj është përpjekje për të minuar themelet e shtetit tonë dhe nuk do të tolerohet,” thuhet në deklaratë.

Sindikata ka shprehur solidaritet me kolegët e viktimës dhe ka theksuar se nuk do të lejohet që aktet e frikësimit të lëkundin përkushtimin e policisë ndaj detyrës dhe Republikës së Kosovës.

Hetimet për zbardhjen e vrasjes së rreshterit Lika janë ende në vijim, ndërsa autoritetet janë vënë në ndjekje të autorëve të këtij krimi.