Vrasja e policit, Gjykata Kushtetuese lë në fuqi dënimin e Dritan Rexhepit!

“Mbreti shqiptar i kokainës” Dritan Rexhepi, ka humbur betejën me shtetin shqiptar pasi gjykata kushtetuese la në fuqi përfundimisht dënimin me 25 vjet burg ndaj tij për vrasjen e policit Durim Kasmi në vitin 1999 në Krujë. Vendimi i 11 dhjetorit 2023, pritet të favorizojë kërkesën që Shqipëria ka dërguar në Turqi për ekstradimin e Gramoz Rexhepit në Tiranë.

Shqipëria ka një tjetër gur të fortë në dorë për ekstradimin nga Turqia të bosit të trafikut të kokainës Dritan Rexhepi, pasi Gjykata Kushtetuese la në fuqi përfundimisht dënimin e tij me 25 vjet burg. Vendimi i dhënë më 11 dhjetor 2023, lidhet me fajësinë e 43-vjeçarit për vrasjen e policit Durim Kasmi në vitin 1999 në qendër të Krujës dhe plagosjen e Ramazan Bakiut, me pasojë vdekjen disa ditë më pas.

Më 22 nëntor, vendi ynë ka përcjellë në Turqi kërkesën për ekstradimin e Dritan Rexhepit, pas arrestimit të tij në Stamboll më 10 nëntor 2023. Krahas Shqipërisë, në garë për ekstradimin e Dritan Rexhepit është edhe drejtësia Italiane, pasi gjykata e Firences e ka dënuar më 20 vjet burg për akuzën e trafikimit të kokainës nga Ekuadori në vendin fqinj. Në këtë mënyrë, dënimi më i rëndë për personazhin e konsideruar si bos i trafikut ndërkombëtar të kokainës, rezulton të jetë dhënë nga Shqipëria.

Megjithatë do të jenë autoritetet turke që do të shqyrtojë kërkesat për ekstradim dhe do të përcaktojnë shtetin të cilit do t`ia dorëzojnë të shumëkërkuarin.