Vrasja e Pjerin Xhuvanit, Arbër Paplekaj kërkon liri me kusht: Kam kryer pjesën më të madhe të dënimit!
Arbër Paplekaj, ish-efektivi i RENEA-s i dënuar me 7 vite burg për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, ka paraqitur një kërkesë për lirimin e tij me kusht.
Paplekaj ka argumentuar në kërkesën e dorëzuar në Gjykatën e Durrësit se ka kryer pjesën më të madhe të dënimit. Seanca gjyqësore për shqyrtimin e kërkesës është planifikuar të mbahet më 16 korrik.
Gjykata e Apelit, me vendimin e datës 1 korrik 2024, e dënoi Paplekajn me 7 vite burg, duke ndryshuar akuzën nga “Vrasje në rrethana cilësuese” në “Vrasje në kushtet e tronditjes psikike”.
Po ashtu, Apeli shpalli të pafajshëm gjashtë efektivët e “Shqiponjave”, Dedion Duraku, Pëllumb Biçaku, Erion Balla, Erion Meçja, Donald Dedja dhe Besmir Kadiu, si dhe dy ish-zëvendësdrejtorët e Policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla.
Ngjarja ndodhi më 21 prill 2021 në Elbasan, katër ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021. Pjerin Xhuvani, përkrahës i PS-së, humbi jetën gjatë një përplasjeje mes shtabeve elektorale, ndërsa u plagosën edhe katër persona të tjerë: Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota.