Gjykata e Korçës ka dënuar me 83 vite burg katër të akuzuarit për vrasjen e 26-vjeçarit Martin Ceco, ngjarje e ndodhur në vitin 2022. Mes të dënuarve është edhe Martina Pajollari, e cila u dënua me 20 vite burg.
Vendimi i gjykatës parashikon:
• Valter Mollaj – 25 vite burg
• Edlir Mollaj – 23 vite burg
• Martina Pajollari – 20 vite burg
• Bledi Angjo – 15 vite burg
Familjarët e Valter dhe Edlir Mollajt kundërshtojnë vendimin, duke pretenduar se ata nuk janë autorët e krimit. Ata shprehen se natën e vrasjes dy kushërinjtë ndodheshin në banesë dhe jo në fshatin Kolanec, ku u gjet i pajetë Martin Ceco.
Nga burgu i Peqinit, ku po vuajnë dënimin, Valter dhe Edlir Mollaj kanë mohuar akuzën, duke këmbëngulur në pafajësinë e tyre.
Ndërkohë, nëna e Martina Pajollarit ka deklaruar se vajza e saj ka dhënë dëshmi të rreme për shkak të presionit të ushtruar nga oficerët e policisë gjyqësore.
Trupi i pajetë i Martin Cecos u gjet në ujërat e rezervuarit të Kolanecit në vitin 2022, ndërsa hetimet çuan në arrestimin e katër personave, të cilët tashmë janë dënuar nga gjykata.