Vrasja e Marigona Osmanit, burg i përjetshëm për Dardan Krivaçën

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Dardan Kriavçën, i cili akuzohet se ka vrarë Marigona Osmanin.

Në njoftim thuhet se Gjykata i ka cilësuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, të përfaqësuesit të të dëmtuarve M.O. dhe V.O. dhe të avokatëve të të akuzuarve D.K. dhe A.S., duke e vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj-Departamenti për Krime të Rënda.

Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, sipas aktgjykimit me nr.2021:186679, të datës 26.09.2024, të akuzuarin D.K., e ka shpallur fajtor për veprën penale vrasje e rëndë, nga neni 173 paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 të KPRK, me dënim me burgim të përjetshëm, në të cilin dënim i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, nga data 24.08.2021, e tutje, ndërsa të akuzuarin A.S., për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, nga neni 173 paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 lidhur me nenin 33 të KPRK, duke e gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 (pesëmbëdhjetë) vite, në të cilin dënim i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, nga data 22.08.2021, e tutje por, jo më gjatë se dënimi i shqiptuar në aktgjykim. Po ashtu, sipas këtij aktgjykimi i akuzuari D.K., është liruar nga akuza për shkak të veprës penale dhunimi, nga neni 227 paragrafi 4, nënparagrafi 4.1, lidhur me paragrafin 1 të KPRK dhe i akuzuari A.S., për shkak të veprës penale ndihmë në kryerjen e dhunimit, nga neni 227 paragrafi 4, nënparagrafi 4.1, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 33 të KPRK, pasi që me asnjë provë të vetme nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer këto vepra penale”,

 “Kolegji gjykues vlerëson se, gjykata e shkallës së parë ka analizuar të gjitha provat e proceduara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe lidhur me këto prova ka paraqitur konkludimet e saj, të cilat i vlerëson si të drejta, objektive dhe të ligjshme. Sa i përket pretendimeve ankimore lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, kolegji gjykues konstaton se gjykata e shkallës së parë e ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë gjendjen faktike, për shkak se me provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se të akuzuarit D.K. dhe A.S., kanë kryer veprat penale të lartcekura, për të cilat janë shpallur fajtorë.

Ndërsa, sa i përket pretendimeve ankimore lidhur me shkeljen e ligjit penal, Gjykata e Apelit vlerëson se gjykata e shkallës së parë drejt dhe në mënyrë të plotë i ka vlerësuar rrethanat të cilat ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit, ndërsa në raport me pretendimet ankimore të mbrojtësit të të akuzuarit D.K., duke pretenduar se gjykata e shkallës së parë ka vepruar në kundërshtim me dispozitën e nenit 41 paragrafi 1 dhe 2, sepse e ka pasur të ndaluar dhe të pamundshëm shqiptimin e dënimit të përjetshëm, kolegji gjykues vlerëson se ky pretendim nuk qëndron, ngase dispozita e nenit 41 të KPRK nuk e përjashton mundësinë e shqiptimit të dënimit me burgim të përjetshëm për veprat më të rënda penale, por nuk parashihet si i vetmi dënim kryesor për një vepër penale, andaj në rastin konkret, vlerësuar të gjitha rrethanat rënduese të të akuzuarit, japin bazë të mjaftueshme në arsyetimin e shqiptimit të dënimit me burgim të përjetshëm për të akuzuarin D.K”, thuhet ndër të tjera në njoftim