Vrasja e Lulzim Vishës në Kamëz/ Arrestohet kushëriri i Vis Lamit… ky i fundit në kërkim! U konfliktuan për…

Policia e Tiranës ka arrestuar një person në lidhje me vrasjen e Lulzim Vishës, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në Zall-Mner të Kamzës. I dyshuari Eduard Lami është djali i xhaxhait të Ervis Lamit, dhe është ndaluar gjatë kontrolleve të zhvilluara në zonën e Kamzës dhe akuzohet për armëmbajtje pa leje.

Gjatë këtyre kontrolleve, autoritetet kanë gjetur një armë zjarri automatike me silenciator dhe municion luftarak, 15 fishekë luftarak, një sopatë, një thikë, një këllëf pistolete glok dhe katër gëzhoja armë në oborrin e banesës.

Materialet e sekuestruara janë dërguar për analiza të mëtejshme në Institutin e Policisë Shkencore, për të verifikuar nëse arma është përdorur në vrasjen e Lulzim Vishës. Dyshohet se banesa ku u gjetën këto sende të paligjshme është në pronësi të Ervis Lamit dhe se kjo banesë përdorej nga 31-vjeçari dhe kushëriri i tij, Eduart Lami.

Në përfundim të hetimeve, policia ka arrestuar 37-vjeçarin, banues në Kamëz, për akuzat e “Mbajtjes pa leje dhe prodhimi i armëve” dhe “Prodhimi dhe shitja pa leje e armëve të ftohta”. Ndërkohë, Ervis Lami është shpallur në kërkim dhe hetimet për kapjen e tij vazhdojnë.

Burime për REPLIKË bëjnë me dije se një konflikt për lojërat e fatit dhe pronat ka shkaktuar përplasje mes vëllezërve Visha dhe fisit Lami. Para disa kohësh, janë regjistruar tensione të tjera, të cilat më vonë kanë përshkallëzuar deri në vrasjen e 48-vjeçarit Lulzim Visha, ekzekutuar një ditë më parë në automjetin e tij.

Ervis Lami është i njohur për organizimin e arratisjes spektakolare të 7 të dënuarve, mes të cilëve ishte edhe Admir Tafili, nga Burgu i Drenovës më 23 nëntor 2013. Lami, i cili ishte bashkëvuajtës me Tafilin në Burgun 313, ka marrë përsipër të gjithë përgjegjësinë për planifikimin dhe organizimin e arratisjes, duke përfshirë përdorimin e armëve dhe bombave për të çorientuar autoritetet. Gjatë gjyqit të vitit 2014, Lami e ka pranuar publikisht rolin e tij në këtë ngjarje, duke shpjeguar se kishte organizuar gjithçka, nga blerja e armëve, tek përdorimi i frigoriferëve për të transportuar armët në burg, deri tek sigurimi i bombës për të shpërndarë panik në mesin e policisë.

Në një dëshmi të dhënë në gjykatë, Lami theksoi se ai ishte personi që e kishte ndihmuar Tafilin të arratisej dhe kishte marrë përsipër të gjitha lëvizjet e organizatës. Ai e quajti këtë një “premtim” që kishte bërë ndaj shokut të tij, pasi besonte se Tafili ishte i pafajshëm dhe se meritonte të kishte një shans tjetër për jetën.