Vrasja e Lulzim Vishës, gjendet edhe një armë me silenciator në banesat e personave të dyshuar

Gjatë kontrolleve të policisë në banesat e personave të skeduar të krimit rreth zonës ky ndodhi vrasja e Lulzim Vishës, raportohet se efektivët gjetën një armë zjarri me silenciator.

Më herët Policia gjeti edhe armën e dyshuar të krimit brenda automjetit të djegur që dyshohet se u përket autorëve të vrasjes së 48-vjeçarit.

48-vjeçari Lulzim Visha u gjet në Kamëz mëngjesin e sotëm i pajetë brenda makinës së punës së tij, ndërsa në mjet u sekuestruan mbi 12 gëzhoja. Policia ka dyshime se ai është vrarë me pistoletë me silenciator, pasi nga dëshmitë e banorëve të zonës, nuk janë dëgjuar të shtëna armë

Trupi i tij u zbulua nga një banor i zonës, mëngjesin e kësaj të premteje. Si zakonisht ai kishte dalë që në mëngjes për në punë dhe në rrugën “Shën Stefani”, në Zall Mner, u qëllua për vdekje nga persona të paidentifikuar. Lulzim Visha punonte si postier në një postë private.

48-vjeçari dyshohet të jetë nxjerrë në pritë dhe më pas të jetë qëlluar për vdekje. Menjëherë pas krimit, policia ka dyshime se autori të jetë larguar me një automjet të zi. Disa orë pas vrasjes, në Zall Herr policia gjeti të djegur një automjet, i cili dyshohet të jetë përdorur nga autorët.

Zona ku ndodhi ngjarja nuk ka kamera sigurie, ndërsa për të gjetur prova që mund të identifikojmë autorin, efektivët kryen kontrolle në disa banesa përreth, kryesisht persona me precedentë dhe rekorde kriminale.