Vrasja e Kristian Markut në Vlorë, arrestohet 36-vjeçari nga Kukësi! Dyshohet se siguroi automjetin për krimin
Policia e Vlorës ka zbardhur detaje të reja lidhur me vrasjen e Kristian Markut, i njohur edhe si Kristian Bardhi, i cili u ekzekutua në mes të ditës më 13 janar 2025. Një 36-vjeçar nga Kukësi, i identifikuar si Erald Cenaj, është ndaluar, pasi dyshohet se ka siguruar automjetin e përdorur nga autorët për kryerjen e vrasjes.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Pavarësia” të Vlorës, pranë një zone të populluar. Kristian Marku sapo kishte dalë nga një lokal dhe po i drejtohej makinës së tij, kur një automjet i llojit “Benz” iu afrua. Një person i maskuar, që ndodhej në mjet, e qëlloi disa herë me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend. Pas atentatit, autorët u larguan me shpejtësi dhe disa orë më vonë, automjeti u gjet i djegur në periferi të qytetit, për të zhdukur çdo gjurmë.
Hetimet kanë çuar në zbulimin e 36-vjeçarit Erald Cenaj, i cili akuzohet për sigurimin e automjetit të përdorur në krim. Policia ka sekuestruar gjithashtu prova që lidhen me ngjarjen dhe po punon intensivisht për të identifikuar dhe arrestuar autorët e tjerë të përfshirë në vrasje.
Kristian Marku, një emër i njohur për Policinë, dyshohet se ishte përfshirë në veprimtari kriminale dhe vrasja e tij mund të jetë rezultat i prishjes së pazareve të drogës. Kjo mbetet një nga pistat kryesore që po ndiqet nga grupi hetimor.