Vrasja e Kristian Markut, kërkohet informacion nga Interpol
Hetimet për Kristian Markun, alias Kristi Bardhi, i cili u ekzekutua mbrëmjen e 13 janarit në autostradën Fier-Vlorë, janë shtrirë edhe jashtë vendit.
Mësohet se hetuesit kanë kërkuar informacion nga Interpol për persona të dyshuar si të përfshirë në këtë vrasje. Një prej vendeve me të cilat po punohet për të identifikuar autorët e këtij krimi të rëndë apo persona që mund të jenë të përfshirë është edhe Kosova, ku po punohet intensivisht.
Ka dyshime se autorët e kësaj vrasjeje kanë mundur që pas krimit të largohen jashtë vendit.
Për sa i përket autorëve, grupi hetimor dyshon se kanë qenë dy automjete që kanë nisur ndjekjen e Kristian Markut, njëri prej të cilëve ka shërbyer për ekzekutimin e 30-vjeçarit, dhe më pas është djegur, ndërsa një automjet i dytë dyshohet nga hetuesit se ka qenë duke lëvizur nga Fieri për në Vlorë dhe ka marrë ekzekutorët pasi kanë djegur makinën.
Hetuesit dyshojnë se ndjekja e makinës së Kristian Markut ka nisur që në afërsi të rrethrrotullimit të Levanit, për ta ekzekutuar më pas pranë nënkalimit të Novoselës.
Viktima natën e ngjarjes ishte nisur nga Tirana me një makinë që kishte marrë me qira, çka ngre dyshimet tek grupi hetimor se edhe në kryeqytet është mbajtur nën vëzhgim për lëvizjet e tij.