Disa persona të rinj janë marrë në pyetje lidhur me hetimet për vrasjen e Klaudio Prendit, ndodhur në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë. Nga hetimet e deritanishme burime policore sugjerojnë se mes tyre mund të jenë autorët ose porositësit e mundshëm të krimit, të dyshuar për lidhje me një ekzekutim të porositur.
Ngjarja ndodhi pak pas mesnatës së 18 nëntorit 2024, kur Prendi u qëllua me armë zjarri me silenciator, ndërsa sapo kishte hipur në automjetin e tij pranë Xhamllikut.
Më parë, ai kishte qenë në një lokal me miq, përfshirë disa efektivë policie. Pista kryesore e hetimit mbetet një konflikt për borxhe nga llotot sportive.
Sipas hetuesve, Prendi kishte pasur dy përplasje të ashpra me një grup tjetër brenda vitit, një prej të cilave ndodhi rreth një muaj para vrasjes.
Autorët përdorën një automjet me targa greke, të cilat rezultojnë të vjedhura në Greqi. Autoritetet shqiptare kanë kërkuar informacion nga homologët grekë, por deri më tani nuk kanë marrë një përgjigje.
Ndërsa hetimet vazhdojnë, policia mbetet e fokusuar në identifikimin e përgjegjësve dhe ndriçimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë, e cila ka tronditur opinionin publik.