Vrasja e Ilaria Sulës/ Mark Samson nuk ishte i vetëm: Dyshohen edhe dy shokë si bashkëpunëtorë, “tradhtohen” nga qelizat telefonike
Zbardhen detaje të reja tronditëse nga vrasja makabre e studentes shqiptare Ilaria Sula në Itali. Hetimet e autoriteteve kanë zbuluar se 23-vjeçari filipinas Mark Samson, i cili pranoi se kishte vrarë Ilarian dhe më pas e kishte fshehur trupin e saj në një valixhe që e hodhi nga shkëmbi, mund të mos ketë vepruar i vetëm.
Pas nënës së tij, Nors Marlapz, e cila ka pranuar se ka pastruar gjakun në banesën ku ndodhi krimi dhe është nën hetim për fshehje kufome, hetuesit po verifikojnë përfshirjen edhe të dy shokëve të afërt të Mark Samson.
Dyshimet ndaj tyre janë ngritur pas analizimit të të dhënave nga qelizat telefonike që kanë kapur sinjalin e celularit të viktimës, edhe pas vdekjes së saj. Pikërisht në këtë periudhë, Mark Samson dërgonte mesazhe nga telefoni i Ilaria-s për të mashtruar të afërmit dhe miqtë e saj, duke i krijuar idenë se ajo ishte gjallë. Qelizat përputhen me vendbanimet e dy personave të tjerë që janë marrë në pyetje, por që kanë mohuar përfshirjen në ngjarje.
Për më tepër, vështirësia që Samson tregoi për të çuar policinë në vendin e saktë ku hodhi trupin, ka forcuar dyshimet se në fshehjen e kufomës mund të ketë ndihmuar një person i tretë. Edhe gjyqtari hetues ka nënvizuar se ekziston rreziku që Samson të ndikojë tek provat, pasi ende nuk është gjetur telefoni i vajzës dhe roli i një personi të tretë mbetet i paqartë.
Një tjetër detaj i rëndësishëm është postimi i fundit në profilin e Ilaria-s në Instagram më 31 mars, ku shkruhej: “Jam mirë. Ju faleminderit të gjithëve”. Edhe pse Samson pranoi se kishte dërguar mesazhe nga telefoni i saj, ai ka refuzuar të përgjigjet për këtë postim specifik.
Ndërkohë, hetimet vijojnë intensivisht për të sqaruar plotësisht dinamikat e krimit, përgjegjësitë konkrete të bashkëpunëtorëve të mundshëm dhe vendndodhjen e telefonit të viktimës.
Fjalë kyçe: Ilaria Sula, Mark Samson, vrasje, valixhe, trup i hedhur nga shkëmbi, qeliza telefonike, bashkëpunëtorë, shokë, mashtrim, postim Instagram, hetime, Itali.