Vrasja e Ilaria Sulës, avokati i vrasësit: Djali është i tronditur, do t’i kërkojë falje familjes me një…

Mark Samson, 23-vjeçari filipinez që pranoi se vrau me thikë ish-të dashurën e tij shqiptare, Ilaria Sula, kërkon t’i dërgojë një letër familjes së saj për t’i kërkuar falje. Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tij, Fabrizio Gallo, i cili tha se klienti i tij është i tronditur dhe thellësisht i penduar për atë që ka ndodhur.

Sipas avokatit Gallo, Samson “do të përpiqet të shpjegojë arsyet e pakuptimta të veprimeve të tij dhe i lutet nënës së tij që të jetë zëri i tij për të shprehur keqardhjen dhe për t’u kërkuar falje prindërve të Ilarias, pasi ai vetë nuk mund ta bëjë këtë në këtë moment”.

I riu ndodhet aktualisht në burgun Regina Coeli në Romë, ndërsa është zyrtarisht nën hetim për vrasje të rëndë me dashje dhe fshehje të kufomës. Prokuroria e Romës, nën drejtimin e zëvendësprokurorit Giuseppe Cascini, ka nisur hetime të zgjeruara që përfshijnë edhe nënën e Samsonit, e cila dyshohet se ka ndihmuar të birin për të fshehur gjurmët e krimit.

Avokati Gallo deklaroi gjithashtu se nëse do të vazhdojë të mbrojë të riun, ai do të kërkojë që Samson të tregojë versionin e plotë të ngjarjes përpara hetuesve, duke përfshirë edhe çdo person tjetër të përfshirë në këtë krim: “Në këtë fazë ka ende shumë aspekte të kësaj tragjedie që duhen thënë gjatë intervistës së Samsonit. Letra që ai dëshiron t’i dërgojë familjes së Ilarias synon të shpjegojë të paktën përpjekjen për të kuptuar arsyet, edhe pse të pakuptimta, të veprimeve të tij.”

Avokatët e të riut theksuan se ai është në gjendje të rënduar emocionale: “Djali është shumë i mërzitur dhe i tronditur.”

Hetimet dhe provat e sekuestruara

Ndërkohë, hetuesit janë në pritje të rezultateve nga analiza e tabletëve, kompjuterit personal të Ilarias dhe telefonit të Samsonit, të cilët janë sekuestruar si pjesë e hetimeve. Inxhinierët e IT-së janë ngarkuar të analizojnë komunikimet mes të dyve, veçanërisht në orët para vrasjes, si dhe mëngjesin e datës 26 mars, kur dyshohet se u krye krimi.

Pavarësisht pranimit të fajësisë nga ana e të riut, versioni i tij ka elementë të paqartë dhe që nuk përputhen plotësisht me të dhënat e mbledhura deri tani nga hetuesit. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë e përfshirjes së një bashkëpunëtori, ndërsa analiza teknologjike pritet të hedhë më shumë dritë mbi këtë ngjarje të rëndë që ka tronditur opinionin publik.