Vrasja e Grei Bihucit, gjykata dënon Florian Mukën me 12 vite burg, më pak se gjysma e dënimit të kërkuar nga prokuroria
Ka përfunduar sot gjyqi për ngjarjen e rëndë që tronditi Fierin më 11 mars 2024, ku mbeti i vrarë 20-vjeçari Grei Bihuci. Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier dënoi autorin e krimit, Florian Muka, me 12 vite burgim, ndonëse prokuroria kishte kërkuar 25 vite. Shkak për uljen e dënimit u bë pranimi i fajësisë dhe kërkesa për falje nga i pandehuri.
Seanca gjyqësore u zhvillua mesditën e sotme nën masa të rrepta sigurie, me praninë e palëve dhe familjarëve. Trupi gjykues përbëhej nga kryetari Genci Busho dhe anëtarët Vladimir Cjapi e Elira Hroni, ndërsa prokuror i çështjes ishte Petrit Vukaj. Mbrojtja e të pandehurve u përfaqësua nga avokati Ervis Goxhaj.
Sipas dosjes hetimore, Florian Muka pranoi krimin, por pretendoi se veproi në kushte vetëmbrojtjeje. Ndërkohë, i mituri Klajdi Muka, 16 vjeç, vëllai i autorit të ngjarjes, u dënua me 1 vit burg për moskallëzim krimi, një dënim që e ka përmbushur gjatë paraburgimit dhe për këtë arsye u la i lirë.