Vrasja e Gentian e Nezir Beqirit, mbërrin në Rinas i shumëkërkuari Florenc Çapja
Një nga emrat më të kërkuar të botës së krimit në Shqipëri, Florenc Çapja, është ekstraduar këtë pasdite nga Dubai drejt vendit tonë.
Çapja, 44 vjeç, banues në Elbasan, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Apeli i GJKKO për një sërë veprash penale, përfshirë “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, “krijim dhe drejtim të grupit të strukturuar kriminal” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”.
Florenc Çapja ishte shpallur në kërkim për vrasjen makabre të Nezir dhe Gentian Beqirit në vitin 2012 në Elbasan, si dhe për urdhërimin e vrasjes së Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini.
Operacioni i ekstradimit finalizohet në kuadër të një bashkëpunimi të ngushtë ndërkombëtar mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe, dhe është pjesë e fazës së re të operacionit “The Wanted”.
Çapja është një nga figurat kyçe të klanit Çapja dhe konsiderohet si kundërshtari i përbetuar i Suel Çelës. Ai u dënua së bashku me Ardian Çapjan dhe Olsi Lekun me burgim të përjetshëm, ndërsa bashkëpunëtorët e tyre Ervis Bardhi, Klajdi Dekolli dhe Etjen Cani u dënuan me 15 deri në 25 vite burg.
Vendimi i Apelit të GJKKO-së është dhënë më 15 nëntor 2023 nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja, Igerta Hysi dhe Miliana Muça.
SPAK, ndërkohë, ka kërkuar konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurive të sekuestruara, përfshirë armë zjarri.
View this post on Instagram