Vrasja e Ermir Dedjas në Durrës, banori: Pashë personin të shtrirë në tokë….

Një vrasje me armë zjarri ka tronditur gjatë natës qytetin e Durrësit. Shtetasi Ermir Dedja, 29 vjeç u vra me breshëri plumbash teksa po ecte në lagjen nr.18.

Ndërsa të shtënat janë dëgjuar në zonë duke shkaktuar frikë dhe panik te qytetarët. Një banor i lagjes tha se në fillim kur dëgjoi të shtënat mendoi se ishin fishekzjarre por më pas kishte parë personin të shtrirë në tokë dhe kishte kuptuar se ishte vrasje.

“Pashë nga dritarja këtë personin të shtrirë në tokë dhe kuptova që kjo ishte vrasje. Sipas asaj që munda të konstatoj nga dritarja e banesës time, munda të kuptoj që ishte qëlluar në zonën e shpatullave. Pak më vonë erdhi policia dhe pas tyre një autoambulancë që e mori trupin”, tha një banor.