Vrasja e Emiljano Ramazanit, Alibej: Ja si planifikuam t’ja ngecnim krimin vëllait të Talo Çelës! Armën donim ta…
Dëshmitari i drejtësisë, Erjon Alibej, ka vijuar në seancën e sotme të gjyqit dëshminë e tij lidhur me vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës. Ai ka zbuluar detaje për një plan të dështuar që synonte të krijonte përplasje mes dy vëllezërve, duke vendosur armën e krimit pranë shtëpisë së viktimës.
“Bujar Çela është vëllai i Talo Çelës, njeriu më i afërt i tij. Ka qenë taksist. Kemi pasur informacion edhe nga Eljo Prifti. Pas vrasjes së Emiljano Ramazanit e vendosa unë dhe e diskutova me Nuredinin që armën e krimit të vrasjes ta vendosnim te shtëpia e Bujar Çelës. Shtëpinë ia dija sepse kisha informator pranë tyre,” deklaroi Alibej para trupit gjykues.
Ai tregoi se plani përfshinte edhe Xhulian Hoxhën, i cili sipas tij shkonte shpesh te pika e shumicës që kishte Bujar Çela. “Nuk arritëm që Xhuliani të merrte një qese apo diçka që kishte prekur Bujari me dorë për gjurmët. Donim ta groposnim armën pranë shtëpisë së tij për të krijuar përplasje mes tyre. Me anë të policit Palusha që e njihja do t’i tregoja atij që e ke armën te shtëpia e Bujarit, por nuk e arritëm ta bënim këtë,” u shpreh Alibej.
Në dëshmi, ai pranoi se pasi plani për të implikuar Bujarin dështoi, u vendos që ai të ekzekutohej.
“U angazhua Enrik Hoxha dhe ata komunikonin me Nuredinin. U angazhua edhe Kushoja me Nipcen për ta vrarë Bujarin. Se di pse u tërhoqëm në atë kohë, ishte objektiv shumë i thjeshtë,” përfundoi ai.