Vrasja e Egli Progës në Pogradec, përfundon hetimi! Denis Meçe do të gjykohet për vrasje me dashje, tre të tjerë…

Pas më shumë se dy muajsh hetime, Prokuroria e Korçës ka përfunduar zyrtarisht dosjen për vrasjen e 42-vjeçarit Egli Proga, i cili humbi jetën në mënyrë misterioze më 10 gusht 2024 në një lokal në lagjen nr.1 të qytetit të Pogradecit. Autoritetet kanë ngritur akuzën për “vrasje me dashje” ndaj Denis Meçes, i cili dyshohet se ka dhunuar për vdekje viktimën pas një konflikti.

Veç Meçes, tre persona të tjerë – Voltan Shulku, Arian Manellari dhe Leonidha Guçe – po përballen me akuza për “moskallëzim krimi” dhe “veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”, pasi ishin të pranishëm në vendngjarje, por nuk e denoncuan krimin dhe sipas hetimeve, kanë ndërhyrë për të fshehur të vërtetën.

Fillimisht, ndaj këtyre tre personave ishte caktuar masa e “detyrimit për paraqitje”, por më 12 tetor, Gjykata e Korçës ndryshoi masën në “arrest në burg”, duke marrë në konsideratë provat për ndërhyrje në kamerat e sigurisë së lokalit, me qëllim manipulimin e ngjarjes.

Egli Proga u dërgua pa shenja jete në spitalin e qytetit, ndërsa për vdekjen e tij ka pasur akuza të forta nga familjarët, të cilët e kanë konsideruar ngjarjen si një rast të pastër vrasjeje të fshehur.

Kujtojmë se në lidhje me këtë çështje pati edhe një përplasje të pazakontë publike mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, pasi fillimisht akuzat ndaj Denis Meçes u ndryshuan nga “vrasje me dashje” në “vrasje nga pakujdesia”, duke shkaktuar reagime të forta nga opinioni publik dhe të afërmit e viktimës.