Vrasja e dy britanikëve nga shqiptari, zbardhen detaje! Ishte në ‘liri me kusht’ dhe vuante nga probleme të shëndetit mendor
Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë që tronditi Britaninë e Madhe në shtator të vitit 2023, ku një shqiptar vrau dy shtetas britanikë. Emiljano Kasaj, 34 vjeç, përplasi për vdekje me makinë një këmbësor, Leo Moran, dhe një çiklist, Joel Carriedo, në qytetin e Coventry-t.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e 3 shtatorit 2023, kur Kasaj, që drejtonte një automjet tip ‘Mercedes Benz’, u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe më pas u përplas me murin e një shtëpie. Pamjet filmike të kamerave të sigurisë, të shfaqura në seancën gjyqësore të mbajtur sot, dokumentuan të gjithë momentin e përplasjes dhe ikjes së tij.
Kasaj, i cili ishte emigrant ilegal, ndodhej nën masën ‘liri me kusht’ në momentin kur ndodhi ngjarja. Ai ishte arrestuar në gusht të vitit 2022 pasi kishte hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar. Më 7 tetor të po atij viti, ai ishte liruar me kusht për t’u paraqitur më pas në Qendrën e Imigracionit në Solihull, gjë që nuk e bëri kurrë.
Në mars të këtij viti, Kasaj u deklarua fajtor për një akuzë për ‘vrasje të mbetur në tentativë’ dhe dy akuza për ‘vrasje të paqëllimshme’. Gjatë gjykimit u bë e ditur se ai është diagnostikuar me psikozë paranojake të lidhur me skizofreninë. Sipas mediave britanike, ekspertët psikiatrikë dëshmuan se gjendja e tij mendore mund të jetë përkeqësuar edhe nga përdorimi i substancave narkotike, si kanabis dhe kokainë, përpara se të kryente veprën e rëndë.
“Ai i tha psikiatrit mbrojtës se, pasi kishte lënë shkollën, kishte punuar në një larje makinash dhe më pas kishte udhëtuar për në Athinë për të gjetur punë. Ai erdhi në Mbretërinë e Bashkuar rreth dy vjet para veprave penale dhe ishte vendosur në Coventry”, shkruajnë mediat britanike.