Vrasja e Agon Zejnullahut ,presidentja Osmani kërkon transparencë të plotë: Askush nuk është mbi ligjin!
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër pas vdekjes tragjike të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan, gjatë një ndërhyrjeje të policisë më 7 korrik. Ajo kërkoi hetim të pavarur, transparencë të plotë dhe drejtësi të pakompromis për këtë ngjarje që ka tronditur opinionin publik.
Në një deklaratë zyrtare, Osmani theksoi se “të gjitha rrethanat e këtij rasti duhet të hetohen menjëherë, në mënyrë të pavarur dhe profesionale” dhe shtoi se “askush nuk është mbi ligjin”, duke kërkuar përgjegjësi të plotë për çdo zyrtar që ka tejkaluar kompetencat apo ka shkelur ligjin.
Ngjarja ka sjellë krahasime me rastin e George Floyd në SHBA, pasi sipas raportimeve, Zejnullahu ka humbur jetën gjatë arrestimit nga efektivët e policisë. Pesë zyrtarë policorë janë vënë në pranga ndërsa hetimet vijojnë.
Policia pretendon se i riu ishte nën ndikimin e alkoolit dhe kishte sjellje agresive ndaj kalimtarëve dhe automjeteve, por reagimi i ashpër i institucioneve vjen si pasojë e dyshimeve për përdorim të tepruar të forcës nga efektivët gjatë ndalimit.
Edhe kryeministri Albin Kurti ka kërkuar një “hetim të thellë dhe sa më të shpejtë”, duke theksuar se nuk do të ketë asnjë strehë institucionale për ata që kanë shkelur ligjin apo kanë keqpërdorur detyrën.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar se hetimet po zhvillohen me intensitet maksimal dhe se çdo person përgjegjës do të përballet me drejtësinë.