Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me 18 vite burg të ish-zyrtarit të Policisë së Shtetit, Arjan Tase, i cili përplasi për vdekje me skaf 7-vjeçaren Jonada Avadiaj në plazhin e Potamit në gusht të vitit 2022.
Tase kishte apeluar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë, e cila e dënoi me 18 vite burg për akuzën e “vrasjes me dashje në mënyrë indirekte”. Gjykata e Apelit e rrëzoi ankimimin dhe e la në fuqi dënimin.
Si ndodhi tragjedia?
Më 2 gusht 2022, Arjan Tase drejtonte një skaf në zonën e mbushur me pushues, kur për shkak të një manovre të gabuar përplasi për vdekje të miturën Jonada Avadiaj, e cila po lahej pranë bregut. Familja e Jonadës, me origjinë nga Tropoja, jetonte në Angli dhe kishte ardhur për pushime në Shqipëri.
Ngjarja tronditi opinionin publik dhe shkaktoi protesta masive, duke nxitur reagimin e institucioneve shtetërore. Si pasojë, policia bllokoi të gjitha mjetet lundruese që shkelin rregullat në vijën bregdetare, duke shtuar kontrollet.
Prokuroria e Vlorës ka mbyllur hetimet për rastin dhe ka çuar për ndjekje penale edhe 8 efektivë të tjerë, të cilët akuzohen për neglizhencë në zbatimin e detyrës.