Vrasja e 67-vjeçarit në Kurbin, policia lokalizon autorin, ja pista që po hetohet
Dashnor Tota është autori i dyshuar i vrasjes së Dodë Mamli.
Ky person është identifikuar nga Policia e Kurbinit, i cili është shpallur tashmë në kërkim, lokalizuar dhe po punohet për arrestimin e tij. Shkaku që përfundoi në ekzekutimin e 67-vjeçarit është bërë konflikti për pronësinë.
Mamli po punonte në një tokë në momentin kur u qëllua për vdekje me armë zjarri dhe duket se kjo ka qënë shkak i konfliktit. Për ekzekutimin e të moshuarit nuk përjashtohet as pista e gjakmarrjes.
Shkaku pse nuk përjashtohet pista e gjakmarrjes ka lidhje me një ngjarje të ndodhur në 2015. Dy djemtë e 67-vjeçarit të vrarë, Enrik alias Elton dhe Tom Mamli, kanë vrarë në vitin 2015 kushëririn e tyre, Naim Tafën. Në shtator 2015, vëllezërit Mamli kanë pasur një konflikt të armatosur me kushërinjtë Gazmir dhe Taulant Tafa, në qendër të Mamurrasit, pranë stacionit të Trenit. Nga konflikti i armatosur ka mbetur i vdekur Naim Tafa, i cili ishte gjithashtu i përfshirë në përplasje. Nga përplasja mbetën të plagosur aksidentalisht Idriz Tafa dhe Altin Çoku, të cilët u gjetën në zonën e stacionit të trenit.