Vrasja e 24-vjeçares palestineze në Tiranë, babai i dyshuar si autor u largua drejt Greqisë pas krimit! Çfarë u pa nga kamerat e sigurisë
Një ngjarje e rëndë është zbuluar në Tiranë, ku një 24-vjeçare palestineze, Ryyan Alwan, është gjetur e vrarë në një apartament me qira në zonën e rrugës së Kavajës. Krimi dyshohet të ketë ndodhur më 22 shkurt, ndërsa babai i saj, 49-vjeçari Fadi Alwan, është larguar drejt Greqisë në të njëjtën ditë.
Dyshja e cila jetonte në Gjermani, kishte mbërritur në Shqipëri më 19 shkurt duke përdorur dokumente greke. Pas uljes në Rinas, ata kishin marrë një taksi dhe kishin prenotuar një apartament me qira në rrugën e Kavajës, ku më pas ndodhi krimi.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se më 22 shkurt, 49-vjeçari është parë duke u larguar nga zona, ndërsa në mbrëmje është nisur nga Rinasi drejt Greqisë. Grupi hetimor dyshon se ai fillimisht ka dhunuar dhe më pas ka vrarë gruan e tij me thikë, duke e mbuluar trupin me një çarçaf. Ai ka marrë me vete të gjitha sendet personale dhe dokumentet e viktimës para se të arratisej.
Një tjetër detaj që ka ngritur dyshime për hetuesit është se gjatë marrjes me qira të apartamentit, babë e bijë nuk kishte dhënë dokumente identifikimi për pronarët e banesës. Ende mbetet e paqartë arsyeja pse ata kishin udhëtuar drejt Shqipërisë.
Policia dhe prokuroria po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje dhe ndjekjen e autorit të dyshuar.