Vrasja e 20-vjeçarit në Shkodër, autori e ekzekutoi me 6 plumba dhe u largua në këmbë mes arave
Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Guci e Re në Shkodër, ku 20-vjeçari Pavlin Preka u gjet i vrarë me 6 plumba në oborrin e banesës së tij. Viktima u zbulua nga xhaxhai, Nikollë Preka, i cili kishte shkuar për ta thirrur në drekë pasi i riu nuk ishte përgjigjur në telefon.
Pavlin Preka jetonte i vetëm, ndërsa për ushqim shkonte tek familja e xhaxhait, që e kishte shumë afër. Ai ishte kthyer në shtëpi vetëm katër ditë para vrasjes, pasi jetonte mes Dukagjinit dhe Gucisë me babanë dhe vëllanë, duke u marrë me bagëti.
Nga hetimet paraprake, policia dyshon se autori ka ardhur në këmbë dhe është larguar po në këmbë mes arave, duke përfituar nga mungesa e kamerave të sigurisë në zonë. Banorët e fshatit nuk kanë dëgjuar të shtëna, çka shton dyshimet se vrasja mund të jetë kryer me pistoletë me silenciator.
Ndërkohë, policia ka shoqëruar rreth 20 persona, mes tyre banorë të zonës dhe persona të njohur si problematikë. Deri më tani nuk ka një të dyshuar dhe motivet e vrasjes mbeten të paqarta, pasi familjarët kanë deklaruar se nuk kishin dijeni për ndonjë konflikt të viktimës.
Grupi hetimor ka sekuestruar gëzhojat e armës pranë trupit të pajetë, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.